Historia e bamirësisë së Tuhelit dhe e drejta për t’u kuruar

Në SHBA ka një kulturë të tillë që nëse një pacient ka nevojë për ndërhyrje dhe nuk i ka mundësitë financiare, atëherë spitalet (që përgjithësisht janë private) gjejnë donator të ndryshëm. Natyrisht, kjo është më mirë sesa t’i thonë pacientit “vdis përderisa nuk i ke paratë”, dhe donacionet mbulojnë edhe operacione që shkojnë 100 000 apo 200 000 USD. Duke u kthyer në Europë, kemi rastin e trajnerit të Çelsit, Tomas Tuhel (që 100 000 USD i merr në javë), i cili ka bërë një bamirësi duke paguar për operacionin e zemrës të djalit së shërbëtores së shtëpisë, si dhe i paska blerë nënës së tij një vilë në Filipine (!!!), pasi kishte admiruar etikën e saj të punës. Bravo Tuhel, veçse shëndeti dhe jeta e njeriut të varfër mbetet në dorë të zemërgjerësisë së pasunarit! Në të vërtetë, në SHBA u bë një reformë shëndetësore nga ish-presidenti Obama, që mbulonte 80-85 për qind të kostove të operacioneve të tilla, pa pasur nevojë që qytetari amerikan të priste nëse ndonjë bamirësi do t’i lindte në zemër për mëshirë. Të mos flasim për Suedinë ku shëndetësia është falas!