Humbja kundër Manchester City futi në krizë Real Madrid dhe i drejtoi reflektorët te një personazh “i rëndë” i pranishëm në sektorin VIP të “Santiago Bernabéu”, Zinedine Zidane. Telekamerat fiksuan trajnerin francez, teksa ndiqte ndeshjen e fundit në Champions, duke shtuar kështu zërat për një rikthim të mundshëm të tij.
Xabi Alonso në fakt është në fije të perit, sipas medieve kryesore në Spanjë. Shifrat janë kundër tij, vetëm 2 fitore në 8 ndehsjet e fundit. Presidenti Perez ka një ultimatum për trajnerin aktual: shkarkim, nëse nuk fiton të dielën në fushën e Alavés.
“Zizou” po pret prej kohësh të marrë drejtimin e Francës dhe presidenti i madrilenëve, Florentino Pérez, e di mirë këtë fakt. Zidane pritet të marrë vendin e Deschamps pas Botërorit 2026, por gjithçka mund të ndodhë.
Arbeloa dhe Solari mund të jenë trajnerë të përkohshëm te Reali, gjithmonë nëse Xabi Alonso shkarkohet në fundjavë. Klubi e ka gati edhe planin e emergjencës. Zgjidhja më e pranueshme në këtë rast do të ishte ajo e Álvaro Arbeloa, ish-shok skuadre me Alonson dhe që tani drejton Castilla-n.

