Higuain e Bufon janë shumë për Atalantën dhe Etrit Berishën

Portieri i kombëtares shqiptare nuk është se nuk bëri pritje, por ishin dy momente vendimtare që përcaktuan përfundimin e gjysmëfinales së parë të Kupës së Italisë. Juventusi fitoi 1-0 në fushën e Atalantës, me Etrit Berishën që u thye vetëm një herë, në minutën e 3-të nga Gonzalo Higuain, në formë shumë të mirë. Për fatin e keq të të besuarve të trajnerit Gasperini, bergamaskët këtë herë kishin përballë ekspertët më të mëdhenj në Itali, juventinët.

Kampionët e duan sërish Kupën, dhe Alegri nuk bën shaka, madje hedh në fushë titullar Xhanluixhi Bufonin. Shenjë besimi apo e kundërta? Zakonisht, ai që luan në kupë nuk është titullar në kampionat, dhe Bufon e kishte vërtetuar këtë duke mos qenë në Kupë për 5 vjet me radhë. Gjithsesi, Alegri duhet të jetë menduar mirë pasi ndoqi portierin e kombëtares së Italisë të priste penallti, si dhuratë vetes për 40-vjetor (e 20-ta penallti e pritur në karrierë), si dhe të bënte dy shpëtime të mrekullueshme të portës ndaj Gomezit apo Hateberit. Ndeshja e kthimit luhet në Torino në 28 shkurt, por duket se gjithçka është përcaktuar dhe Juventusi do të luajë finalen për ta fituar Kupën për herë të katërt radhazi, dhe për të 13-të në histori.

Sfidanti.al