Harroni Championsin, finalja angleze pranë në Ligën e Europës!

Liverpuli dhe Totenhemi mund të mos kenë shumë shanse për të kapur finalen e Madridit, por dy skuadra të tjera angleze janë shumë pranë finales në skajin tjetër të kontinentit, në Baku. Arsenali e Çelsi hodhën hapa tepër të rëndësishme drejt një dueli për titull në Ligën e Europës, pas ndeshjeve të para gjysmëfinale. “Topçinjtë” lanë pas problemet në Premier Ligë, dhe përballuan goditjen e shpejtë të Valencias në “Emirejts”, për të fituar 3-1.

Pasi Diahabi realizoi për spanjollët në 11’, “i zgjuari” Aleksandre Lakazetë u përgjigj dy herë në 8 minuta, në të 18-ën dhe 26-ën, për ta mbyllur pjesën e parë 2-1 në favor të vendasve. Pjer-Emerik Obamejang shënoi një gol të tretë tepër të rëndësishëm, në sekondat e fundit të duelit të Londrës. Skuadra e trajnerit Unai Emeri mund të thuhet se ka epërsinë përpara ndeshjes së dytë që do të luhet të enjten e ardhshme në Valencia, ndërsa në radhët e saj ishin dy lojtarët me origjinë shqiptare, Granit Xhaka (kapiten në pjesën e dytë) dhe Shkodran Mustafi.

Çelsi ndoshta mori një rezultat edhe më të mirë. Blutë e Londrës barazuan 1-1 në fushën e të rrezikshmit Ajntraht të Frankfurtit. i zakonshmi Luka Joviç, të cilit thuhet se e duan Reali e Barcelona, shënoi një gol të shkëlqyer në 23’, por një veteran me përvojë si Pedro Rodrigez nxorri Sarrin “nga balta”, duke realizuar në fund të pjesës së parë.

Sfidanti.al