Iker Kasijas tronditi të gjithë botën e futbollit dhe jo vetëm teksa iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente pas një infarkti në zemër. Tashmë 37 vjecari spanjoll do të qëndrojë 3 muaj jashtë fushave të lojës pas këtij operacioni, por e ardhmja e tij si futbollist është nën një pikëpyetje të madhe. Në fakt së fundmi janë hedhur ide kontradiktore në lidhje me vazhdimin apo jo të karrierës së Iker Kasijas që vetëm përpara pak javësh rinovoi kontratën me skuadrën e Portos.
‘Kasillas do të shërohet plotësisht, por pasi ta ketë kaluar këtë fazë, do të jetë ai që do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë apo jo-tha mjeku i Portos,Nelson Puga në një intervistë për ‘A Bola’, ndërkohë që krejt ndryshe thotë ish mjeku i përfaqësueses spanjolle Antonio Korbalan.
‘Është e vështirë që ai të kthehet të luaje me nje stent-tha Corbalan-sigurisht Iker do t’i kthehet jetës normale, por jo futbollit profesionist’.
Kasijas do të duhet që të qëndrojë në spitalin ku u krye edhe ndërhyrja kirurgjikale të paktën deri në fundin e javës, ndërkohë që në drejtim të tij kolegë futbollistë mes të cilëve edhe Lionel Messi si dhe sportistë të tjerë kanë dërguar mesazhe të ngrohta dhe inkurajuese.
sfidanti.al