Harrojeni PSG-në, Mançester Junajtid është një mrekulli me Solskjerin

Kur skuadra po dilte nga fusha me kokën ulur pas disfatës në Champions, shumëkush mendoi se Mançester Junajtid nuk ishte skuadër aq e madhe, sa u duk pas fitoreve radhazi me trajnerin Solskjer. Gjithsesi, norvegjezi i stolit e mori disfatën me sportivitet, theksoi mungesën e përvojës, dhe u përqëndrua menjëherë tek ndeshja e radhës.

Mbrëmja e së hënës i dha të drejtë dhe suksesi impresiv në fushën e Çelsit ishte përgjigja më e mirë e “djajve të kuq”. U kualifikuan bindshëm në çerekfinalen e Kupës së Anglisë me shifrat 2-0, duke luajtur në “Stemford Brixh” me sigurinë e dikurshme të kohëve të Fergusonit. Ander Herrera shënoi golin e parë, dhe Pol Pogba (më i miri lojtar në fushë) shtoi të dytin.

Junajtid mund ta harrojë PSG-në, pasi Championsi është një nivel që mund të arrihet ndoshta sezonin e ardhshëm, dhe mund të ndihet i lumtur me atë që po bën nën drejtimin e Solskjerit. Eleminoi Çelsin nga Kupa e Anglisë, dhe i zuri vendin në zonën Champions në kampionat. Në Kupë, në çerekfinale do të ndeshet me Uolvesin, pra ka shanse për gjysmëfinalet dhe për të menduar për një trofe.

Sfidanti.al