Hamilton, në Formula 1 nuk fiton gjithnjë më i miri!

Sebastian Fetel arriti një fitore të madhe në garën e parë të sezonit të Formula 1, ndërsa Çmimi i Madh i Australisë u kujtoi të gjithëve sesa “tekanjos” është ky lloj sporti. Ljuis Hamiltonit iu mohua (pa padrejtësi) triumfi, pavarësisht se fitoi me dominim vendin e parë në prova, dhe pavarësisht se u nis shumë mirë në garë.

Një problem komunikimi i pilotit anglez me skuadrën e tij të Mercedesit bëri që Feteli me Ferrarin e tij të fitonte duelin në ndërrimin e gomave, kur në pistë ishte makina virtuale e sigurisë (MVS). “Çfarë ndodhi djem? – pyeti Hamiltoni, më pas, në radio, – përse nuk më thatë se Feteli ishte në pit stop?” Mercedesi nuk mund të thoshte tjetër përveçse “ne menduam se ishim të sigurt, padyshim këtu ka një gabim”!

Ishte një aksident që futi në garë makinën virtuale të sigurisë dhe prishi ekuilibrat, ku Ferrari u tregua më i shkathët dhe mori fitoren. Pas MVS-së erdhi edhe makina e vërtetë e sigurisë dhe Hamiltonit i mbetën vetëm 12 xhiro për të parakaluar, por pista e Melburnit nuk është nga ato që të ndihmojnë. Pavarësisht se kampioni i botës e mbajti diferencën me Fetelin 1 sekondë e më pak, ai nuk mundi ta kalonte gjermanin.

Ferrari fitoi edhe si skuadër në Australi, pasi Raikonen doli i treti, ndërsa Botasi vetëm i 8-ti, pasi u nis nga vendi i fundit. “Kokëkuqja” ka 40 pikë ndaj 22 të Mercedesit. Jo keq Red Bulli, ndonëse prej tij pritej më shumë, me Riçardon të katërtin, shumë pranë Raikonenit, por me Verstapenin që doli nga gara.

Së fundi, shkëlqim për Fernando Alonson, që doli i pesti me Meklaren Renonë, edhe pse shumë larg katërshes së parë. Ndoshta, dy herë kampioni i botës mund të luftojë për podium apo për ndonjë fitore pas kaq shumë zhgënjimeve.

Sfidanti.al