“Hallet” e Klopit me virusin, dhe hallet e lojtarëve në “Asllan Rusi”!

Liverpuli fitoi 6-0 një miqësore me Blekbërnin në “Anfild”, duke kaluar me sukses provën “gjenerale” përpara rifillimit të Premier Ligës me derbin ndaj Evertonit, ndërsa trajneri Jurgen Klop nënvizoi disa gjëra. “Ka ndryshime të shumta në krahasim me përpara pandemisë, – u shpreh ai, – rëndësi ka që lojtarët u përshtatën me rregullat e protokollit, kjo është kryesorja. Nga ndeshja jam i kënaqur, por gjithçka është ndryshe. Djemtë u larguan nga stadiumi pa bërë dush. Po binte shi përpara ndeshjes, dhe do të kishte qenë gallatë nëse do të kishte pasur shi të dendur, dhe lojtarët të kishin shkuar në shtëpi pa bërë dush”.

Ah, ti “aristokrati” Klop. Edhe një trajner “lufte” si ti nuk mund të arrish ta kuptosh sesi një lojtar mund të shkojë në shtëpi pa bërë dush pas ndeshjes. Gjermani do të kishte bërë mirë të kishte ardhur në Shqipëri për të parë ndeshjet e fëmijëve, sesi ata kthehen në shtëpi pa bërë dush, apo shpesh nuk kanë ku lënë as veshjet. Jo më larg se dje, një lojtar i ekipit të të rriturve të basketbollit, të trajnerit Arben Fagu, thoshte se “është turp që në vitin 2020, të mos ketë dushe në “Asllan Rusi””. Të mendosh, se në vitet 80-të, dushe kishte!

Sfidanti.al