Çelsi i Londrës, nga karantinat për Vernerin, tek milionat e Kantesë!

Trajneri Frenk Lampard duhet të mendojë fillimisht për fillimin e sezonit. Blutë kanë ambicie për të qenë në zonën Champions, dhe për momentin janë aty, por rivalët nuk ndodhen aspak larg. Mançester Junajtidi, Uolvesi apo Totenhemi janë kërcënues. Gjithsesi, përtej përgatitjes së skuadrës për duelin e parë, të dielën pasdite në fushën e Aston Vilës, Lampardi duhet të mendojë për sezonin tjetër.

Kompletimi i transferimit të Timo Vernerit nuk po mundet të bëhet për shkak të koronavirusit. Jo se sulmuesi i Lajpcigut do të vijë menjëherë, pasi ai do të përfundojë detyrimin në Gjermani, por duhen bërë vizitat mjekësore. Verneri nuk vjen dot në Angli për shkak të karantinës, dhe specialistët e Çelsit nuk shkojnë dot në Gjermani po për këtë arsye, pasi do të duhej të prisnin 2 javë në karantinë. Do të ketë vonesa, pra.

Ndërkaq, Lampardi duhet të mendojë për paratë për blerjet që kërkon. Vërtet Abramoviçi po bëhet “i gjallë”, veçse edhe miliarderi rus është biznesmen dhe nuk dëshiron të humbasë. Atëherë, mediat britanike shkruajnë se ekziston mundësia që Çelsi të pranojë të transferojë një mesfushor shumë të rëndësishëm si Ngolo Kante, tek Reali i Madridit, pasi kështu do të fitonte 80 milionë euro.

Sfidanti.al