Ishte habi që mbeti aq shumë minuta pa tundur rrjetën dhe që rrezikoi madje të mos ia dilte në këtë ndeshje. Edhe pse Mançester Siti nuk e pati edhe aq të vështirë për të mundur Sauthemptonin, në një ndeshje të Premier Ligës që përfundoi 4-0, sërish Erling Halandi sikur i kishte këmbët “të lidhura”. Më në fund, ia doli në minutën e 65-të dhe më tej “ra squkë”, siç është një shprehje popullore. Gjithsesi, Halandi nuk është se është kaq “i urtë”.
Ai ka 20 gola në sezon kur jemi në 9 tetor, dhe nga këta ka 15 në Premier Ligë. Që tani ai ka barazuar Kevin De Brujnen që ishte shënuesi më i mirë i Sitit stinorin e kaluar, ndërsa është vetëm 8 gola larg Këpucave të Arta të vjetshëm, Salah dhe Son. Ai barazoi rekordin e Sitit me 10 ndeshje radhazi që shënon, rekord i mbajtur nga Billi Mekadams që nga 1957 dhe pritet që ta thyejë, ashtu siç mund të thyejë rekordin e Premier Ligës me 11 ndeshje radhazi me gol që e mban Xhemi Vardi. Halandi ka arritur në 7.
Sfidanti.al