Guardiola vlerëson Arsenalin

Pep Guardiola ka kthyer menjëherë vëmendjen te ndeshja vendimtare për titullin në Premier League, pas fitores bindëse 3-0 të Manchester City-t ndaj Chelsea-t në “Stamford Bridge”.

Me golat e Nico O’Reilly, Jeremy Doku dhe Marc Guéhi, “citizens” kanë marrë kontrollin e fatit të tyre në garën për titull. Aktualisht, City ndodhet gjashtë pikë pas Arsenal, por me një ndeshje më pak dhe me përballjen direkte që pritet të jetë vendimtare.

Pas ndeshjes, Guardiola nuk kurseu vlerësimet për rivalin kryesor:

“Do të luajmë kundër një skuadre që në 49 ndeshje ka humbur vetëm tri dhe në Champions League nuk ka humbur asnjëherë. Në këto përballje, askush nuk mund të thotë se jemi shumë më të mirë se ata.”

Madje, tekniku katalanas shkoi edhe më tej në analizën e tij:

“Respekti që kam për Arsenalin në tri vitet e fundit është maksimal. Ata janë dhe kanë qenë skuadra më e mirë në Europë deri tani. T’i mundësh një herë është shumë e vështirë, imagjinoni dy herë brenda pak javësh.”