Bernardo Silva dhe Ederson Moraesh janë vetëm fillimi. Pep Guardiola dëshiron një Mançester Siti sipas shijeve të tij, por edhe që të përshtatet në “xhunglën” e Premier Ligës, ndaj edhe shpenzimet nuk do të llogariten. Trajneri katalanas, për herë të parë pa asnjë trofe në karrierë, ka vendosur t’i ngjajë Zhoze Murinjos në faktin se, ashtu si portugezi, do të nxjerrë nga xhepi dhjetëra e dhjetëra milionë paund stërlina për të marrë futbollistë.
Plot 43 milionë stërlina iu dhanë Monakos për Bernardo Silvën, 33 milionë shkuan tek Benfika për portierin Moraesh, ndërsa në radhë presin (nëse do të vijnë) Aleksis Sançez, Kajl Uolker (Totenhem), Benzhamin Mendi (Monako), por edhe Kilian Mbape. Sipas llogarive të mediave britanike, shuma që do të duhet për të plotësuar dëshirat e Guardiolës është çerek miliardi stërlina, pra 250 milionë. Vetëm Mbape, për momentin, kushton 113 milionë stërlina. Synimi i Guardiolës është padyshim të fitojë titullin kampion, por edhe të bëjë të vetën Premier Ligën.
Sfidanti.al