Pep Guardiola ndoshta ka bërë gabim që ka ardhur në Angli. Katalanasi elegant, një nga trajnerët më të sofistikuar të botës, ka mbërritur në kampionatin më të egër ndër të gjithë të mëdhenjtë e kontinentit. Në futbollin britanik ka një shprehje “tackle”, që do të thotë ndërhyrje e fortë për t’i hequr topin kundërshtarit. Në shumicën e rasteve, “tackle” nuk është me të keq, ndonëse shpesh herë thyen ndonjë këmbë apo nxjerr nga vendi ndonjë shpatull. “Unë nuk jam trajner për “tackle”, – u hodh në sulm Guardiola, pasi vështroi Mançester Sitin e tij tepër fin dhe të bukur për t’u parë, por jo aq të egër sa e do klima angleze.
Siti nuk fitoi asnjë duel për topin e parë, nga ata që quhen 50 me 50, në gjysmë orën e parë të ndeshjes, ndërsa pësoi 3 gola në ato momente. Xhemi Vardi, që kishte 91 ditë pa realizuar, tundi 3 herë rrjetën, duke shënuar tregolëshin e tij të parë në karrierë me Leiçesterin. Pep nuk ishte fare në vete pas takimit. “Unë nuk stërvis për ndërhyrje të tilla, – tha ai, – unë nuk bëj stërvitje për “tackles”. është e vërtetë që duhet të fitosh duelet, por nëse luan mirë, fiton shumë duele”. Normalisht, Mançester Siti as nuk mundi të luante mirë, dhe as të fitonte duelet. Kjo ishte disfata e dytë radhazi në Premier, pas asaj 1-3 brenda në fushën e vet me Çelsit, dhe favoriti për titull po sheh t’i vështirësohen gjërat seriozisht.