Guardiola-Murinjo, dueli klasik i Kupës së Ligës

Pasditen e 25 prillit, ndërsa në Shqipëri do të jenë duke përfunduar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në “Uembli” të Londrës do të jetë përcaktuar fati i trofeut të Kupës së Ligës. Finalja do të jetë Mançester Siti-Totenhem, apo ndryshe Pep Guardiola-Zhoze Murinjo. Një nga sfidat më të mëdha të trajningut në histori, dhe përfundimi do të jetë ose që Murinjo do të bëhet trajneri me më shumë trofe në këtë konkurrim, ose Guardiola do të barazojë rekordin që e mbajnë disa teknikë të tjerë.

Për momentin, më shumë tituj në Kupën e Ligës kanë legjendari Brajan Kllaf i Notingem Forestit, legjendari tjetër Sër Aleks Ferguson i Mançester Junajtidit, dhe “dora vetë” Zhoze Murinjo me Çelsin e Mançester Junajtidin. Këta kanë nga 4 tituj, ndërsa pas tyre vijnë Bob Pejsli i Liverpulit dhe Pep Guardiola i Mançester Sitit me nga 3. Bilanci mes Guardiolës dhe Murinjos është 11 fitore për katalanasin, 7 fitore për portugezin dhe 6 barazime në 24 ndeshje (golat 37-29), një rivalitet i nisur në 2010 dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Që nga sezoni 2013-2014, trofeu është fituar ose nga Mançester Siti, ose nga Zhoze Murinjo. Në 2014, triumfoi Siti me trajner Manuel Pelegrinin, në 2015 ishte radha e Murinjos me Çelsin, në 2016 sërish Pelegrini me Sitin dhe në 2017 Murinjo u përgjigj me Mançester Junajtidin. Në 3 sezonet e fundit, kampion i Kupës së Ligës ka dalë Mançester Siti i Pep Guardiolës.

Sfidanti.al