Basketbollistët e Miluokit e mbajtën topin për 7 sekonda, për të simbolizuar 7 plumbat me të cilat policia vrau Xhejkob Blejkun në Kenosha të Uiskonsinit, në sy të fëmijëve të tij. Po këtë gjë bënë edhe lojtarët e Detroitit, ndërsa dy skuadrat u ndeshën në sfidën e radhës në NBA. Ajo ishte një protestë paqësore për vendimin e gjyqit në Kenosha që të mos hapte hetim ndaj oficerit të policisë që kreu vrasjen, ndërsa kanë kaluar gati 5 muaj që kur Miluoki bojkotoi ndeshjen e pestë të turit të parë të plej ofit ndaj Orlandos, duke shkaktuar një bojkot 3-ditor të ndeshjeve në NBA.
Në parket, Janis Antetokumbo shënoi 25 pikë për të udhëhequr Miluokin drejt fitores 130-115 ndaj Detroitit, pak ditë pasi shënoi 43 pikë po ndaj të njëjtës skuadër. Miluoki ka tani 4 fitore e 0 humbje në shtëpi, dhe po fiton ndaj kundërshtarëve me mesatare mbi 23 pikë për ndeshje. Anetokumbo shtoi edhe 8 topa në tabela e 4 asistë, në një paraqitje të mirë, por jo të jashtëzakonshme ndërsa ishte në fushë vetëm 28 minuta e gjysmë. Lojtari më i mirë i mbrëmjes ishte Bredli Bil i Uashingtonit që shënoi 60 pikë, duke kapur edhe 7 topa në tabela e pasur 5 asistë. Ai e bëri këtë në 38 minuta, por nuk e shpëtoi dot ekipin nga humbja 136-141 në fushën e Filadelfias. Ebiid udhëhoqi Filadelfian me 38 pikë.
Sfidanti.al