Guardiola: Klubet e tjera të Premier Ligës janë prapa akuzave për ne!

Nëse do të përdornim terma të futbollit, atëherë pa asnjë frikë mund të thuhet se Pep Guardiola ka ndërhyrë me “taka lart” ndaj akuzave që kanë rrethuar Mançester Sitin. Trajneri flet për një komplot pas vendimit në bllok të klubeve të Premier Ligës që kërkojnë përjashtimin e kampionëve në fuqi të Anglisë. “Ky gjykim nis nga Premier Liga dhe nuk e di përse, – tha ai, – Ka edhe klube të tjerë që mund të akuzohen kështu si ne. Thonë që nuk kemi qenë korrektë, por nuk jemi dakord. Duhet të na lejojnë të mbrohemi dhe unë jam më besimplotë se atëherë kur u dënuam nga UEFA. Klubet e tjerë na duan jashtë kampionatit dhe Kupave të Europës, pasi nuk jemi pjesë e establishmentit të Ligës. Duan të na heqin vendin që e kemi fituar në fushë”.

Pep Guardiola nuk përdor aspak diplomacinë edhe në lidhje me zërat se ai do të braktisë “anijen” e Mançester Sitit, nëse ajo fundoset. “Jam i bindur se do të shpallemi të pafajshëm. Në çdo rast unë nuk iki që këtu. Këtë jua siguroj, pasi tani jam më i bindur se kurrë”, – theksoi ai. Vetëm pak ditë më parë, Premier Liga njoftoi nisjen e një gjykimi ndaj Mançester Sitit, i akuzuar se ka falsifikuar bilancet për një periudhë 9-vjeçare.

Sfidanti.al