Pritej që gjykimi i tij të mos ishte në favor të Madridit, edhe pse sot ai nuk vlen. Pep Guardiola mendon se Bajerni i Mynihut ishte më lart se Reali në përballjen e zhvilluar në “Santiago Bernabeu” ditën e martë në Ligën e Kampionëve.”Njëmbëdhjetë për njëmbëdhjetë Bajerni ishte më mirë, – tha ish-trajneri i Barcelonës dhe Bajernit, sot tek Siti, – gjëja e parë që mendoj pas këtij eleminimi është sesa krenari pati Karlo (Ançeloti), futbollistët dhe gjithë njerëzit rreth tyre. Bajerni luajti në mënyrë spektakolare, kur ishin me të njëjtin numër lojtarësh në fushë. Unë e di nga përvoja sesa e vështirë është të luash kundër Realit”.
Guardiola pritet që të drejtojë Sitin në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë ndaj Arsenalit në “Uembli”, aty ku ka fituar dy Champions (një si lojtar dhe një si trajner). “Dua që të shkojmë në finale dhe të fitojmë Kupën, – thotë Pep, – kjo do t’u jepte besim lojtarëve dhe do të largohte dyshimet”. Pritet që edhe braziliani Gabriel Zhezus të kthehet në këtë ndeshje, 10 javë pas dëmtimit që pati.
Sfidanti.al