Goli tek Reali është punë e Benzemasë, 5 nga 5 të fundit!

Zinedin Zidan padyshim që ka të drejtë. Trajneri i Realit jo më kot theksoi së fundmi se transferimi i Karim Benzemasë është gjëja e fundit që i shkon ndër mend, duke thënë se “ai është i aftë të luajë me çdo lloj lojtari në krah”. Jo vetëm kaq, por që pas largimit të Kristiano Ronaldos, sulmuesi francez po jep përgjigjen për golat në skuadrën madrilene. Ai ka shënuar 5 nga 5 rrjetat e fundit të skuadrës “merenges”, ndërsa ka 18 gola gjithsej në kampionat, plot 10 më shumë sesa lojtari i dytë madrilen, Bejl.

Benzema ishte vendimtar edhe në barazimin zhgënjyes 1-1 në fushën e Leganjesit, në javën e 32-të të La Ligës, rezultat që e la Madridin në vend të tretë, me 4 pikë largësi nga Atletiko e vendit të dytë. Vendasit kaluan në epërsi në mënyrë të merituar kur Zhonatan Silva shënoi në minutën e 45-të, por Benzema rivendosi barazpeshën në 51’. Reali nuk qe në gjendje të bënte më shumë dhe mediat spanjolle theksojnë se Zidan ka paralajmëruar disa nga lojtarët se nuk do t’i mbajë në ekip sezonin e ardhshëm. Flitet për Garet Bejlin, Sebajosin apo Markos Jorenten.

Sfidanti.al