Kontrasti është i fortë sidomos në Gjermani. Një skuadër që kryeson Bundesligën, dhe që një javë më parë mundi Bajernin e Mynihut, u eleminua dramatikisht nga Liga e Europës. “Infarkti” ndodhi në minutën e fundit, pas golit të pësuar nga klubi i Erdoganit, Istanbul Bashaksehirspor, dhe menjëherë ngrihen pikëpyetje për vazhdimin e sezonit. Mos vallë, “flakja” nga kontinenti do të thotë se Gladbahu nuk është aq i fortë sa duket?
Të mos gabohemi, sepse prova e kampionatit është ajo më e rëndësishmja. Gladbahu, ashtu si Lacio, po shkëlqejnë në ligat e tyre, dhe dështimi kontinental ndodhi thjesht sepse nuk janë mësuar “të mbajnë dy kunguj nën një sqetull”. Edhe bardhekaltërit nga Italia po “fluturojnë” në Serinë A, madje i shkaktuan humbje Juventusit kampion, por u mundën në Francë nga Rena dhe e prenë gjithashtu biletën për të dalë jashtë Europës.
“Një lëndim i madh për ne, – tha trajneri i Borusias, Marko Roze, – donim të ishim vitin e ardhshëm në Europë. Një zhgënjim i madh për tifozët dhe për klubin”. “E dinim se do të ishte e vështirë, – u shpreh trajneri i Lacios, Inzagi, – e provuam, por nuk patëm energji dhe përvojë. Tani na mbetet të përqëndrohemi tek Seria A”.
Sfidanti.al