Xhorxho Kielini është një institucion i futbollit italian, edhe pse nuk mund të flasë në emër të gjithë “kalços” (calcio). Gjithsesi, mbrojtësi i Juventusit merr përsipër ta bëjë këtë gjë, duke u dukur paksa si Don Kishoti që luftonte me mullinjtë e erës. “Ne nuk do ta kemi kurrë tiki-takën e Spanjës, – thotë ai, – Italia ka traditën e saj dhe Juventusi nuk do të fitojë kurrë 6-0 si Reali apo Barcelona”.
Më tej, Kielini, bëhet edhe më shumë Don Kishot, kur kritikon Guardiolën për hallet e futbollit të vendit të tij. “Guardiolizmi” shkatërroi një brez të tërë mbrojtësish, – sulmoi veterani, – për shkak të tij, të gjithë futbollistët donin të bëheshin sulmues dhe askush nuk donte të ishte mbrojtjës. Ja ku kemi arritur tani, që Italia ka humbur traditën dhe nuk kemi mbrojtësit e dikurshëm”.
Gjithsesi, ai shtoi se duhet pritur edhe pak sepse në skenë po del një brez i ri mbrojtësish. “Rugani, Kaldara dhe Romanjoli janë të rinj dhe do të bëhen të mëdhenj, – tha ai me shpresë, – atyre u duhet pak më shumë përvojë ndërkombëtare, veçse unë, kur isha në moshën e tyre, kisha më pak përvojë sesa kanë ata sot”.
Sfidanti.al