Gjyqtari i heq finalen, por trajneri i Salcburgut Mark Rose e fal!

Salcburgu ishte vetëm një hap larg ëndrrës së tij, pra, që të dilte në finalen e Ligës së Evropës, por një gabim i rëndë i gjyqtarit dhe një korne fantazmë e penguan ekipin kampion austriak që, të paktën, ta provonte, nëpërmjet penalltive, të përpiqej të dilte në finalen e ëndërruar. Olimpiku i Marsejës e shënoi golin e vetëm që i dha kualifikimin, mbas një korneje që nuk u takonte në asnjë mënyrë francezëve, pasi topin jashtë e nxori fare qartë një prej tyre, por gjyqtari rus, Sergej Karasjov, nuk pa atë që panë të gjithë të tjerët, se ajo nuk ishte korne, por vetëm një rivënie në lojë nga porta austriake. Por, megjithatë, trajneri i Salcburgut, Marko Rose, mbas ndeshjes tregoi se ishte një “zotëri” i vërtetë, duke e falur gjyqtarin rus që nuk e la ekipin austriak të provonte shijen e finales së madhe në Lion.

Në fakt, Rose, kur u bë goli, u zemërua shumë dhe iu hakërrue arbitrit rus që e dërgoi atë në tribunë, por, mbas ndeshjes, u pa karakteri prej zotërie i trajnerit të ri të ekipit austriak:

“Jam i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes, pasi djemtë tanë e meritonin të dilnin në finale. I thashë arbitrit Karasjov disa fjalë që nuk duhet t’i kisha thënë. Por, kur mora vesh se gjyqtari dhe ndihmësit e tij e kuptuan në dhomën e zhveshjes se çfarë gabimi kishin bërë, vendosa ta falë atë. Në fund të fundit, ne duhet të tregojmë njerëzillëkun tonë”, tha trajneri i skuadrës austriake.

Sfidanti.al