Nuk mund të thuhet se numri 1 i botës po ka mall për konkurrencën. Vërtet, Novak Gjokoviç nuk ka në rrugën e tij legjendat si Rozher Federer apo Rafael Nadal, që nuk kanë marrë pjesë në US Open për shkak dëmtimesh, por sërish do të ketë “shoqëri të mirë” deri në fund. Tenisti serb kaloi me vështirësi, por bindshëm numrin 6 të botës, italianin e talentuar Mateo Berretini, veçse në gjysmëfinale përballë tij do të jetë Aleksandër Zverev. Tenisti gjerman e mundi Nolen në gjysmëfinalen e Lojrave Olimpike në Tokio dhe më pas fitoi medaljen e artë. Duket se Zverevi është bërë më në fund “burrë”, një tenist që di edhe të fitojë, e jo vetëm të bëjë lojë spektakolare hera-herës. Natyrisht, Gjokoviç në US Open do të jetë testi i tij më i madh. Nëse e kalon, atëherë mund të thuhet se ka hyrë përfundimisht në elitën e tenisit botëror. “Ai është në formë të madhe, – pranon serbi, – po fiton shumë këto kohë. Ai arriti shumë lehtë në gjysmëfinale”. Gjokoviç synon Grand Slemin kalendarik, pra që të fitojë edhe US Openin pasi fitoi Australian Openin, Rolan Garosin dhe Uimbëlldonin.
Sfidanti.al