Gjimshiti e Atalanta pranë mrekullisë, por kalojnë PSG, Nejmar e Mbape!

Asnjë grimë nuk iu hoq madhështisë së kësaj skuadre me emrin e Perëndisë, Atalanta. Edhe pse në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kaluan Paris SG, Nejmar e Kilian Mbape, sërish askush nuk mund ta shqisë nga mendja atë që i panë sytë, një ekip pa mëdyshje provincial, që thuajse nxorri nokaut një nga gjigandët e topit. Përballë një “bajlozi” të tillë të zi, bergamaskët ishin në avantazh deri në minutën e 90-të, madje në të 59-ën, Berat Gjimshiti pati mundësinë për golin e dytë, vetëm 4-5 metra larg, por mbrojtësi i kombëtares shqiptare veproi si mbrojtës, duke e nxjerrë topin jashtë.

Gjimshiti nuk ishte në fushë në sekondat e fundit, kur Markinjos dhe Çupo-Moting shënuan golat e përmbysjes, pasi Mario Pashaliç kishte kaluar në avantazh italianët. Shqiptari i Kosovës kishte marrë të verdhë në pjesën e parë, dhe trajneri Gasperini nuk deshi të rrezikonte, ndërsa përballë mbrojtjes bergamaske ishin Nejmar e Mbape. Braziliani pati dy raste të pastër në pjesën e parë, ndërsa Mbape, që hyri në fushë në 60’, krijoi panik e rrezik sa herë kapi topin. Ai pati gjithashtu dy raste goli. Edhe rrjetat e përmbysjes kaluan nëpër këmbët e tyre, në të parën kombinuan të dy, Mbape e Nejmar, ndërsa në të dytën krijuesi ishte braziliani.

Kështu përfundoi historia e madhe e Atalantës në këtë sezon të Championsit, një nga skuadrat më të pamenduara që mund të arrinin deri në këto lartësi, sukses më i madh sesa i ekipeve të dikurshëm të Lindjes së Steaua, Crvena Zvezda apo Dinamo e Kievit, që ishin superfuqi në vendet e tyre. Do të vazhdojë historia e Paris SG, skuadrës së yjeve të mëdhenj, por që morën një leksion futbolli nga të vegjlit, një ekip ku sherret duket se nuk fashiten kurrë, ku trajneri duket gjithnjë me valixhe në dorë, por ndoshta Tomas Tuhel nuk do ta mbyllë valixhen e tij derisa aty të fusë trofeun e Championsit.

Sfidanti.al