Gjermania e pataksur me Bajernin! Muzika përdhjet disiplinën..

Tani, në futbollin e sotëm, as festimet e titujve të kampioneve nuk janë më ato që kanë qenë, pra, nuk janë ato që do të duhet të ishin. Të paktën, kështu ndodhi fundjavën e kaluar në Mynih, në “Alians Arenën”, të mbushur plot me 70 000 shikues që kishin ardhur t’u jepnin lamtumirën futbollistëve gjigantë të tillë, si Filip Lam dhe Cabi Alonso, dhe që të festonin fitimin e titullit të radhës nga ekipi i tyre i dashur, Bajern.

Në pauzën mes dy pjesëve të ndeshjes Bajern-Frajburg, publikun e argëtoi këngëtarja e njohur, Anastasia, duke e shtyrë 8 minuta fillimin e pjesës së dytë, dhe, kështu festimi futbollistik bavarez u shndërrua në një performancë pop-argëtuese, duke bërë që shumë mediume gjermanë ta kritikojnë ashpër klubin bavarez, midis të tjerave, edhe për faktin se fillimi i pjesës së dytë të ndeshjes u shty tetë minuta, ndërkohë që dihet se gjermanët janë mjaft të përpiktë në gjithçka.

Një gazetë e Frankfurtit e konsideroi të gjithë performancën në “Alians Arena si një shfaqje të tipit “Mapet Show”, duke theksuar se, “tani, është e vështirë që të dallosh se ku fillon dhe ku mbaron arroganca e Bajernit, sepse kështu futbolli tjetërsohet!” Gazeta “Di Welt” e Berlinit, nga ana e saj, ishte edhe më e ashpër në reagimin e saj:

“Madje, edhe lojtarëve të Bajernit u vinte turp nga ajo që ndodhi në stadiumin e tyre”, duke veçuar, sidomos, një moment festimi: në gotat e mëdha të birrës, me të cilat lojtarët, zakonisht, lagin njëri-tjetrin në fushë, ishin futur minikamera! Madje, Kristian Shtrajh, trajneri i Frajburgut që ishte kundërshtari i fundit i Bajernit, bëri të ditur se sulmuesi holandez i Bajernit, Arien Roben, i kishte thënë atij se ajo që po ndodhte në fushë, ngjante me një “pleh njerëzor”!

Sfidanti.al