Geri Lineker nuk vonoi dhe u hodh në Tuiter pasi ndoqi golin e shkëlqyer të radhës së Lionel Mesit. Ish-ylli i kombëtares së Anglisë, komentoi se Mesi luan futboll në një mënyrë të tillë, sa që duket se ai nuk është njerëzor, apo i vdekshëm (të vdekshmit as nuk mund ta ëndërrojnë lojën e tij). Një tifoz futbolli, po në Tuiter, reagoi gjithashtu. “Që ekipet e tjerë të kompensohen për faktin se Barcelona ka Mesin, duhet që katalanasit të luajnë me 9 lojtarë, ndryshe nuk do të ishte e ndershme për të tjerët”.
Goli i Mesit nuk vlejti vetëm sigurimin përfundimtar të fitores 4-2 në fushën e Sociedadit apo komentet në rrjetet sociale. Argjentinasi theu, me të, edhe një tjetër rekord të Gerd Mylerit, atë të më shumë golave të shënuar në një ligë të vetme europiane. Tashmë, numri 10 i Barçës ka 366 gola në 401 ndeshje ndaj 365 golave të gjermanit në 427 ndeshje me Bajernin. Më herët, Mesi theu rekordin e Mylerit për numrin e përgjithshëm të shënuar për një skuadër të vetme. Bomberi arriti në 525 rrjeta, ndërsa Leo e arriti në dhjetor, kurse tani ka mbërritur në 530.
Kjo nuk është e gjitha, pasi ylli i katalanasve është shumë pranë rekordit europian të golave të shënuar nga një lojtar në të gjitha ndeshjet e ligave ku ka luajtur. Rekordin e mban Kristiano Ronaldo me 376 gola për Sportingun, Man. Junajtidin dhe Realin e Madridit, ndërsa Mesi, siç e thamë, është në 366, pra vetëm 10 gola prapa.
Sfidanti.al