Kërcënim për Mekgregorin: Kthehu, ndryshe do të heqim titujt

Konor Mekgregor ishte dhe mbetet nderi e krenaria e kampionatit botëror UFC të arteve të përziera marciale (MMA), por duket se situata po ndryshon. Presidenti i UFC-së, Dejni Uajt, e ka paralajmëruar irlandezin se duhet të kthehet sa më shpejt për t’u ndeshur nëse dëshiron t’i mbajë brezat e artë të kampionit që i ka fituar me meritë. Mekgregor, jashtë kafazit oktagon që përpara ndeshjes-spektakël ndaj Flojd Mejuedhër të Riut, ka deklaruar se parashikon të kthehet në shtator, por Uajt thotë se kjo është larg.

“Deri në shtator do të thotë 2 vjet pa ndeshje në UFC, – u shpreh ai, – dhe kjo është thuajse e papranueshme. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk është e ndershme lidhur me të tjerët”. “E dua pa masë Konorin, e respektoj shumë atë, vlerësoj jashtëzakonisht gjithçka që ai ka bërë për kompaninë tonë, dhe këtë e di gjithkush, pasi e kam thënë vazhdimisht, veçse brezat do të jem i detyruar t’ia heq”, – përfundoi Uajt.

Shumë dyshime janë ngritur lidhur me të ardhmen e UFC-së pa yllin e saj më të madh, diçka që vetë Mekgregori e ka theksuar me arrogancë (më paguani sa vlej, që të kthehem). Gjithsesi, le të kujtojmë fjalët e një trajneri shumë të njohur të futbollit shqiptar si Farruk Sejdini. “Të rrojë teqeja, se hoxhallarë ka sa të duash”, – ka thënë “Xhaxhi”. Edhe presidenti Uajt po punon për ndeshjen e dy yjeve të rinj, Toni Ferguson e Habib Nurmagomedov.

Sfidanti.al