Gjendet “ilaçi” për Sitin e Guardiolës, është Liverpuli i Klopit

Mund të mos jetë pretendent për titull, pasi 15 pikë diferencë janë shumë, por mbetet një nga ekipet më magjikë, të paktën në Angli, por padyshim edhe në Europë. Duhej pikërisht Liverpuli “i çmendur” i Jurgen Klopit që t’i shkaktonte humbjen e parë në Premier Ligë, Mançester Sitit të Guardiolës.

Shifrat 4-3 përfaqësojnë një moment të veçantë dhe të rëndësishëm të sezonit, që, edhe pse nuk pritet të ketë përmbysje, ka shpresë që të mos dominohet nga fillimi deri në fund nga një sundues i vetëm. As nga “skuadra e ëndrrave” e trajnerit katalanas.

Edhe pse humbi “xhevahiri” Filip Kutinjo, që vlejti 160 milionë euro, edhe pse mbajti në stol mbrojtësin më të shtrenjtë të botës, Virxhil Van Dajk (85 milionë euro), sërish Klop mbeti besnik i vetvetes. Me guximin e rrallë dhe lojën tipike sulmuese, siç bënte tek Dortmundi, jo vetëm e fitoi ndeshjen ndaj ekipit më të fortë të momentit në Europë, por edhe e meritoi suksesin.

Sa shumë ndryshoi ky duel nga derbi i Mançesterit, luajtur në “Old Traford”, ku Junajtidi me emër të madh i Murinjos u soll si frikacak përballë kundërshtarit të frikshëm. Në “Anfild” fjala frikë nuk njihet.

Gjithsesi, Siti ishte Siti edhe në humbje. Reagoi pasi pësoi gol shumë shpejt dhe rrjeta e Leroi Sanesë ishte po aq e bukur sa ajo e Okslejd-Çembërlenit. Më pas, nuk e humbi toruan kur vendasit arritën deri në epërsinë 4-1, duke luajtur fort deri në fund, me karakterin dhe mentalitetin që e kanë vetëm kampionët.

Pas Roberto Firminos, Sadio Manesë dhe Mohamed Salahut, goditën Bernardo Silva e Ilkai Gyndogan dhe në sekondat e fundit të shtesës, Kun Aguero iu afrua barazimit. Liverpuli vërtet e fitoi ndeshjen, por Siti ruajti respektin për veten. Pas 23 javësh, formacioni i Guardiolës kryeson me 62 pikë (67 gola të shënuar), ndërsa Liverpuli është me pikë të barabarta me Man. Junajtidin e Çelsin, 47, në vend të dytë, dhe duke qenë skuadra e dytë më shumë shënuese e Premier Ligës me 54 rrjeta.

Sfidanti.al