Përfundoi 1-1 në Rejkjavik ndeshja e parë e Ligës së Kombeve për ekipin kuqezi, në një përballje ku mund të kishim fituar, por që gjithsesi na solli një rezultat pozitiv. Taulant Seferi shënoi golin e parë për ekipin përfaqësues duke e kaluar në epërsi 1-0 në Islandë në 30’, por një gabim i përsëritur shpesh nga ana jonë, lejoi ishullorët të barazonin me të nisur pjesa e dytë me anë të Torsteinsonit. Kombëtarja pati më shumë gjuajtje në portë (12-9), edhe pse më pak në kuadrat (2-5), ndërsa mbajti topin 56 për qind dhe ishte në avantazh edhe për goditjet nga këndi, 7-4.
Një provë e mirë në një fushë ku jemi mundur në të treja ndeshjet që kemi luajtur, si dhe një nisje e mirë e edicionit në Ligën e Kombeve me një pikë jashtë fushe. Natyrisht, vlera e barazimit do të zvogëlohej nëse nuk do të fitonim në 10 qershor në Tiranë ndaj Izraelit. Trajneri Edi Reja u dëshpërua edhe ai në përfundim madje duke thënë se “ndoshta kjo që ndodhi është edhe çështje karakteri”, duke nënkuptuar se shqiptarët me gjasë nuk i çojnë punët deri në fund. Islanda kryeson grupin me 2 pikë në 2 ndeshje, Izraeli dhe Shqipëria kanë nga 1 pikë në një ndeshje.
Shqipëria (3-5-2): Berisha, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Hysaj, Çekiçi (Asllani 73’), Gjasula, Abrashi (Ramadani 79’), Balliu (Veseli 82’), Cikalleshi (Balaj 74’), Seferi (Vrioni 74’).
Sfidanti.al