Jemi gati për një formulë të re që nuk prek thelbin por fasadën…kjo e vjetra dështoi dhe askush nuk mban përgjegjësi. 9 muaj të vitit të gjithë rendin pas një topi dhe në fund na del që loja paska dështuar për shkak të rregullave dhe rruga më e thjeshtë është…ndërtojmë një lojë të re. Pas “Final 4”, presidenti i FSHF e pranoi publikisht që disa mekanizma duhen ndryshuar dhe kjo nuk është hera e parë.
Nuk ka asgjë të keqe të bëhen modifikime kur “lodra” nuk punon por pyetja që lind natyrshëm është: kush i merr vendimet për të ndryshuar rregullat sipas orekseve? Sa herë do të ndryshojmë derisa të gjejmë formulën që na përshtatet (edhe pse në këtë rast vështirë që mund të na vijë sipas avazit një formulë).
Cilët janë këta specialistë që vendosin për fatet e lojës dhe titullit? Po ata që investojnë paratë e tyre nga xhepi, a pyeten ndonjëherë? Në këtë rast është njëlloj sikur t’i japësh aktorit skenën, skenarin dhe regjisorin që mendon e t’i thuash: luaje këtë rol se mbase të përshtatet, nuk ka rëndësi a e mendon edhe protagonist pozitivisht. Gjellë që serviret e ftohtë për të cilën “vë dorën në zjarr” shefi i kuzhinës por që rastis që çdo vit të rezultojë e prishur.
Pirro Bardhyli

