Mbrojtësi i Arsenalit, William Saliba, është në dyshim të madh për paraqitjen në Kupën e Botës 2026, pasi ka pësuar një lëndim në shpinë. Sipas raportimeve, francezi do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara mjekësore këtë të hënë (1 qershor) për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Shqetësimet e para sugjerojnë se ai mund të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të gjatë, çka do ta vinte seriozisht në rrezik pjesëmarrjen e tij në turneun më të madh të futbollit.
Një mungesë e Salibas do të ishte një goditje e rëndë si për lojtarin, ashtu edhe për Kombëtaren e Francës. “Gjelat” konsiderohen ndër favoritët kryesorë për triumfin në Kupën e Botës dhe mbështeten shumë në cilësitë e mbrojtësit të Arsenalit në repartin defensiv të drejtuar nga Didier Deschamps.

