Botërori i shtrenjtë, tifozët skocezë marrin me qira autobusa shkolle

Kupa e Botës 2026 po sjell jo vetëm emocion në fushë, por edhe sfida të mëdha financiare për tifozët. Përballë kostove të larta të transportit, mbështetësit e Skocisë kanë gjetur një zgjidhje të pazakontë: marrjen me qira të më shumë se 30 autobusëve të verdhë shkollorë amerikanë. Anëtarët e njohur të “Tartan Army” morën këtë vendim pasi çmimi i një bilete vajtje-ardhje me tren drejt stadiumit “Gillette” në Foksborou arriti në 80 dollarë për person.

Në këtë stadium, Skocia do të zhvillojë ndeshjet ndaj Haitit dhe Marokut. Për të ulur shpenzimet, shumë tifozë kanë zgjedhur të akomodohen në Providence të Rhode Island, ku çmimet e hoteleve janë dukshëm më të ulëta sesa në Boston. Megjithëse parkimi i një autobusi në stadium kushton 650 dollarë, tifozët besojnë se duke ndarë shpenzimet mes tyre, transporti do t’u kushtojë vetëm rreth 30 dollarë për person. Kjo është dukshëm më pak krahasuar me alternativat zyrtare të ofruara gjatë turneut.