A mundet që të gjithë të gabojnë në të njëjtën javë, dhe t’i bëjnë dhuratë rivalit më të “urryer”? Seria A u dorëzua në një ditë të vetme përballë dëshirës së pashuar të Juventusit për ta mbrojtur për herë të gjashtë radhazi titullin e kthyer në “pronë private”. Më herët, Milani e Roma, dhe në mbrëmje Napoli, gabuan që të gjitha, duke i dhënë mundësi juventinëve që të krijonin edhe një herë shkëputjen.
Nëse do të kishte fituar, Napoli do të ishte ngjitur në vendin e dytë, më lart se Roma për shkak golaverazhi, dhe me shpresa reale për të qenë rival i ekipit të Alegrit. Gaboi në mënyrën më të pabesueshme, në “San Paolo” ndaj një Palermos së parafundit në renditje, duke dalë 1-1. Rezultati e la në vendin e tretë, me 45 pikë, 6 pikë pas Juves që ka edhe një ndeshje në dorë, dhe vetëm 3 pikë mbi Interin që po bëhet gjithnjë e më kërcënues për zonën Champions.
Nestorovski kaloi miqtë në epërsi që në 6’, ndërsa Mertens barazoi në 66’, por napolitanët humbën shumë. Kajehon, Mertens (shtyllë), sërish Kajehon, Mertens, Insinje, Mertens, Mertens, vazhdimisht Mertens, Insinje, Zielinski, Kajehon, Mertens, Insinje, këta ishin emrat e lojtarëve sipas rasteve që iu paraqitën në renditje kohore. Trajneri Sarri mund të tërbohet, por edhe duhet të vlerësojë të tijtë për lojën sulmuese që duhej të ishte shpërblyer me fitore.
Elseid Hysaj ishte përsëri titullar, me shqiptarin që tashmë nuk humb asnjë ndeshje dhe që ka rifituar formën e duhur.