Futbolli i Kembrixhit mund miliardat e Njukasëllit saudit!

Ishte ndeshja e parë e blerjes së rëndësishme Kieran Tripier, lojtar i kombëtares së Anglisë. Gjithsesi, as kjo nuk i bëri punë Njukasëllit që po kalon nga turpi në turp, edhe pasi aksionet u blenë nga familja mbretërore saudite. Ndeshja e Kupës së Anglisë në “Sent Xhejmsis Park” u humb 0-1 me Kembrixh Junajtidin që ndodhet aktualisht në kategorinë e tretë. Xho Ajronsajd shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 57-të, ndërsa Njukasëlli, dikur një skuadër e shquar angleze, humbi raste para pushimit. Rreth 52 000 tifozë ishin në stadium, ndërsa vendasit luftuan shumë me 66 për qind mbajtje topi, 26 gjuajtje (8 Kembrixhi) dhe 11 në kuadrat (4) si dhe kornet 12-1. Portieri i Kembrixhit, Dimitar Mitov deklaroi se “kjo ishte e pabesueshme, por e dinim se nuk kishim gjë për të humbur, pati shumë tifozë për të na parë dhe ne dhamë maksimumin”.

Sfidanti.al