Ishin 15 000 tifozë gjermanë në “San Siro” dhe skuadra e tyre e zemrës nuk i zhgënjeu. Barazimi 0-0, në ndeshjen e parë të Ligës së Europës ndaj Interit, nuk e pengoi Ajntrahtin e Frankfurtit që të arrinte kualifikimin për në çerekfinale, një sukses plotësisht i merituar. Luka Joviç, sulmuesi i kërkuar nga “gjysma e Europës”, ishte heroi me golin e shënuar që në minutën e 5-të, pas gabimit të mbrojtësit interist De Vraj. Frankfurti ishte skuadra që bëri më shumë në 180 minuta, madje duke humbur penallti në Gjermani, ndërsa tifozët zikaltër u lëshuan me protesta të ashpra në rrjetet sociale ndaj ekipit të tyre.
Arsenalit të Londrës, ndërkaq, i duhej një ndeshje “perfekte” për t’u kualifikuar, pas humbjes 1-3 në Francë me Renën. Ia doli ta luante një ndeshje të tillë, duke vazhduar momentin pozitiv në Angli me fitoret në Premier Ligë ndaj Çelsit e Mançester Junajtidit. “Njeriu me maskë”, Pjer Emerik Obamejang, shënoi dy gola në fitoren 3-0, në minutat 5 e 72’. Në minutën e 15-të, talenti i ri Einsli Meitlend-Najls shënoi golin e dytë për “topçinjtë” e trajnerit Unai Emeri.
Gjithsesi, mrekullia më e madhe i takoi Valencias, që arriti kualifikimin në Rusi, në minutën e 93-të. Skuadra spanjolle po humbiste 0-1 në stadiumin e Krasnodarit, në Rusinë Jugore, pas golit të shkëlqyer nga jashtë zone shënuar nga Magomed-Shapi Sulejmanov në 85’. Pikërisht në sekondat e fundit, Gonsalo Gedes barazoi për kualifikimin.
Jo më pak e jashtëzakonshme ajo që bëri Sllavia e Pragës, në përballjen “e pafundme” ndaj Seviljes. Më në fund, një skuadër spanjolle u eleminua, madje ajo që ishte më eksperte, shumë herë fituese e trofeut. Çekët ia dolën 4-3 pas kohës shtesë, duke i bërë nder emrit të tyre të madh, si një nga skuadrat më të vjetra e më të shquara të futbollit të Europës Qendrore.
Rezultatet: Inter-Frankfurt 0-1 (0-0), Arsenal-Renë 3-0 (1-3), Krasnodar-Valencia 1-1 (1-2), Dinamo Kiev-Çelsi 0-5 (0-3), Salcburg-Napoli 3-1 (0-3), Vijarreal-Zenit Shën Peterburg 2-1 (3-1), Benfika-Dinamo Zagreb 3-0 (0-1), Sllavia Pragë-Sevilja 4-3 (2-2).
Sfidanti.al