Jo më kot kishim përballë kampionët e botës. Ishte festë për stadiumin e ri kombëtar të futbollit, por për fat të keq, qëlloi që ky kremtim të bëhej përballë Francës. Edhe pse pa Kilian Mbapenë në fushë, sërish të besuarit të trajnerit Didie Deshamp na dhanë të kuptonim se çdo të thotë të rivalizosh me yjet që luajnë në skuadrat më të mire të kontinentit. Shënuan dy gola të shpejtë, në minutat 8 e 31, dhe zotëruan situatën nga fillimi deri në fund.
Me kualifikimin që ishte bërë i pamundur që më parë, kombëtarja nuk arriti as të bënte mbylljen e duhur, duke humbur dy pikë ndaj Andorrës në Elbasan, e duke pësuar një humbje shumë më normale në “Arenën Air Albania”. Përballë Grizmanit e Lenglesë së Barcelonës, Varanit të Realit, Zhirusë së Çelsit, Mendisë së Mançester Sitit, Kimpembes së Paris SG, apo Tolisosë së Bajernit, çfarë mund të bënin të përzgjedhurit e Edi Rejës.
Dakord, disa prej tyre luajnë në Serinë A apo në Bundesligë, por shumica ose në kategorinë e dytë spanjolle e italiane, ose në liga më të vogla si zvicerane, austriake apo sllovake. Dallimi i qartë u pa në një element, në atë që Franca goditi pesë herë portën tonë, ndërsa Shqipëria nuk gjuajti asnjë herë në kuadratin e portierit Mandanda.
Etrit Berisha bëri tri pritje, nga të cilat dy shpëtuese, ndërsa Zhiru goditi edhe shtyllën. Sidoqoftë, me Roshin e Memushajn në fushë pas pushimit, ekipi përfaqësues ishte shumë më ndryshe, dhe kjo dha shpresë. Deshamp nuk pati aspak nevojë për Kilian Mbapenë, as nuk i ndjeu mungesa si të Pogbasë, Komanit, Jorisit. Në skemën e ndryshuar, heroi kryesor ishte Antuan Grizman, margaritari i Barcelonës, edhe pse i kritikuar këto kohë.
Humbja ishte logjike, dhe trajneri Reja u shpreh tepër i zhgënjyer sidomos për pjesën e parë, por gjithsesi këto eleminatore të Europianit besohet se ishin hedhja e themeleve për kombëtaren e ardhshme. Ndoshta, ashtu si De Biazi, Reja do të triumfojë në edicionin e tij të dytë.
Sfidanti.al