Frajburgu, fenomeni i Bundesligës është përballë Bajernit

Këtë fundjavë, saktësisht këtë të shtunë, do të luhet në “Alianc Arena” në orën 15:30. Frajburgu do të vendoset përballë Bajernit, dhe flitet për fenomenin e ri të Bundesligës. Ish-ekipi i Altin Rrakllit është një habi e vërtetë duke qenë në vendin e 3-të në renditje me 22 pikë pas 10 javësh, vetëm 3 pikë prapa Bajernit, dhe ka golaverazhin e respektueshëm 17-7. Çfarë e bën kaq të fortë ekipin e trajnerit Kristian Shtrajh (Streich)? Frajburgu është një klub që drejtohet shumë mirë, dhe që ka pasur fitime prej 70.5 milionë eurosh në 10 vjet. Drejtuesit kanë bërë të mundur që fitohet gati 10 milionë euro në sezonin e kaluar pavarësisht pandemisë, duke qenë përjashtimi i vetëm në ligë. Të ardhurat janë shumë të mira në raport me shpenzimet, po ashtu lojtarët rrinë më gjatë në Frajburg sesa në ekipet e tjera, pra japin më shumë kontribut, duke krijuar më shumë një skuadër. Tradita thotë se një ekip që mbetet i pathyer në 10 ndeshjet e para të Bundesligës ka 87 për qind shanse që të shkojë në Champions, dhe për Frajburgun kjo do të ishte hera e parë në histori.

Sfidanti.al