Çmimi i Madh i Azerbajxhanit në Formula 1 përfundoi me një tjetër sukses të madh për Max Verstappen. Piloti i Red Bull konfirmoi edhe një herë dominimin e tij, duke regjistruar fitoren e katërt sezonale pas triumfeve në Suzuka, Imola dhe Monza.
Në pistën e Baku, Verstappen u shkëput herët dhe nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren, duke kaluar i pari finishin.
Pas tij, në vendin e dytë u rendit George Russell me Mercedes, i cili bëri një paraqitje solide dhe arriti të mbajë ritmin për pjesën më të madhe të garës. Podiumi u plotësua nga Carlos Sainz me Williams, i cili u nis nga vija e parë dhe shfrytëzoi në maksimum potencialin e makinës së tij për të siguruar një rezultat të rëndësishëm.
Mercedes pati gjithashtu sukses me Andrea Kimi Antonellin, që u rendit në vendin e katërt. Për të riun italian, ky rezultat ishte një sinjal pozitiv pas periudhës së vështirë që kaloi, duke e rikthyer në konkurrencë për zonën e podiumit. Një tjetër surprizë e këndshme erdhi nga Liam Lawson, i cili arriti të mbyllë në vendin e pestë me Racing Bulls, duke konfirmuar progresin e skuadrës.
Më e vështirë ishte gara për McLaren dhe Ferrari. Oscar Piastri, që mbante kreun e klasifikimit të përgjithshëm, bëri një gabim të madh në nisje duke lëvizur para kohe, humbi pozicionet dhe pas vetëm pak sekondash u përplas në mur, një incident që i kujtoi gabimin e bërë edhe në provat zyrtare. Për australianin ishte një garë për t’u harruar, pasi u detyrua të tërhiqej shumë shpejt. Nga ana tjetër, shoku i tij i skuadrës, Lando Norris, arriti të shpëtojë pjesërisht situatën me vendin e shtatë, pas Red Bull-it të Yuki Tsunoda.
Te Ferrari, fundjava rezultoi po ashtu zhgënjyese. Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc, nuk arritën të ngjiteshin në zonën e lartë të renditjes. Hamilton përfundoi para shokut të skuadrës, por një manovër për t’i rikthyer pozicionin Leclerc-ut në fund nuk funksionoi, duke i lënë të dy jashtë garës për vendet e para. Në fund, dhjetëshja u plotësua nga Isack Hadjar me Racing Bulls, duke i dhënë edhe këtij ekipi një tjetër rezultat për t’u vlerësuar.
Me këtë fitore, Verstappen forcon edhe më shumë pozitat e tij në kampionat, ndërsa rivalët kryesorë mbetën pas, duke i lënë holandezit të Red Bull një tjetër hap përpara drejt titullit.
sfidanti.al