Samir Nasri e kishte paraqitur si një puritan nga ata të vjetrit, që rrinë me sahatin në dorë pranë mesit të natës. Pep Guardiola, ndërkaq, betohet se nuk është aspak i tillë. Pak ditë pasi ish-lojtari i Sitit foli për rregullat e seksit të vendosura nga Pepi, ishte vetë trajneri që u kundërpërgjigj.
“Është e pamundur të luash futboll të bukur nëse nuk bën seks me partneren, – u shpreh katalanasi pasi qeshi me të madhe për pyetjen, – Unë nuk do ta ndaloj kurrë një gjë të tillë, nëse e bëni, jeni lojtarë më të mirë”.
Gjithsesi, Guardiola pranon se ka disa rregulla të rrepta tek Mançester Siti. Ato kanë të bëjnë me gjumin, me dietën ushqimore, por edhe me shërbimin e internetit në zona të caktuara të kompleksit stërvitor të skuadrës. Trajneri dëshiron që lojtarët të komunikojnë më shumë me njëri-tjetrin sesa me celularët e tyre, pasi kjo do të thotë harmoni më të madhe, lojë më të mirë dhe rezultate pozitive.