Fjuri-Xhoshua, një “Ndeshje e Shekullit” në boks për Britaninë

Nuk mund të krahasohet me duelet gjigande si Kasius Klej-Soni Liston, Muhamed Ali-Xho Frejzer apo Muhamed Ali-Xhorxh Foreman, apo as me Holifild-Tajson e Lenoks Ljuis-Tajson, por gjithsesi do të jetë një luftë e madhe. Dy boksierët më të mirë të Britanisë së Madhe, Tajson Fjuri dhe Entoni Xhoshua kanë qëlluar të jenë edhe dy më të mirët e botës në peshat e rënda të boksit profesionist.

Ëstë vendosur tashmë që kjo dyshe të ndeshet në qershor ose korrik, dhe që të zhvillojë një revansh po gjatë këtij viti. Të paktën këto janë planet, “pesha” financiare mund të arrijë në 200 milionë paundë stërlina, që do të thotë rreth 220 milionë euro apo rreth 250 milionë USD, ndërsa vendi i luftërave nuk është përcaktuar, por Arabia Saudite jepet si favorite. Tri javët e ardhshme do të përcaktohet data dhe vendi i saktë. Ky duel pritet të kalojë nga ana financiare sfidën e shquar mes Flojd Mejuedhërit dhe Manu Pakiaos në vitin 2015.

Fjuri është tallur me Xhoshuan duke thënë se “mund të pi 14 kriko birrë e sërish ta mund atë”, ndonëse mediat kanë shprehur shqetësimin se mos ai kthehet tek pija dhe droga siç i ndodhi pas fitores ndaj Vladimir Kliçkos. Fjuri ka 1 vit pa u ngjitur në ring që pas fitores ndaj Diontej Uajlderit, ndërsa Xhoshua fitoi ndaj Andi Ruizit pasi humbi papritur ndeshjen e parë.

Sfidanti.al