“Nuk ishte aq e lehtë sa duket”. Këto ishin disa nga fjalët e thëna nga Ljuis Hamilton në përfundim të Çmimit të Madh të Japonisë, fituar prej tij. Edhe pse triumfi nuk mund të ishte më i plotë, me Sebastian Fetelin të tërhequr nga gara që në xhiron e pestë, sërish anglezi pohoi se sfida e Maks Verstapenit e impenjoi deri në fund. Gjithsesi, me 59 pikë më shumë sesa gjermani i Ferrarit, anglezi është shumë pranë titullit të katërt botëror në karrierë, në Formula 1. Duhen edhe vetëm 4 gara, pra 100 pikë në dispozicion, dhe vetëm ndonjë mrekulli e jashtëzakonshme mund ta ndihmojë skuadrën italiane dhe Fetelin.
Hamilton, ndërkaq, është pranë rekordit britanik, pasi mund të kalojë Sër Xheki Stjuartin. Të dy pilotët janë njësoj me nga 3 tituj, po ashtu si Airton Sena, Nelson Pike, Niki Lauda apo australiani Xhek Brabham. Hamilton barazohet me vetë Fetelin dhe Alen Prostin, dhe i mbeten vetëm dy emra të mëdhenj për të arritur, Mikael Shumaher me 7 tituj dhe Huan Manuel Fangio me 5. Titulli mund të fitohet pas dy javësh në Çmimin e Madh të SHBA-së, nëse Hamilton del i pari dhe Fetel del i pesti.
Në pistën e Suzukës, Fetel pati probleme në makinë, dhe u parakalua nga pilotë të tjerë derisa u tërhoq. Maks Verstapen kaloi nga vendi i katërt në të dytin, duke parakaluar Riçardon dhe Fetelin, ndërsa vetë Riçardo plotësoi podiumin, me Valteri Botasin në vend të katërt. Në renditje, Hamilton ka 306 pikë ndaj 247 të Fetelit, ndërsa Botas është vetëm 13 pikë prapa gjermanit. Për skuadrat, Mercedesi ka 540 pikë ndaj 395 të Ferrarit.
Sfidanti.al