Një fjalë e urtë turke thotë “fukarallëk, maskarallëk”. Nuk është se Napoli i përgjigjet saktësisht këtij përkufizimi me buxhetin mbi 100 e ca milionë euro dhe me rroga milionerësh të lojtarëve, por edhe në futboll gjithçka bazohet tek “relativiteti”. Napoli e ndjen veten të varfër përballë Juventusit, Interit apo Milanit, ndaj edhe mes presidentit De Laurentis e trajnerit Sarri ka një luftë “të ftohtë”.
Të dy festuan pas suksesit 2-1 ndaj Krotones në “San Paolo”, duke bërë që Napoli ta mbyllë Serinë A me rekordin prej 91 pikësh, por që të dy iu shmangën përgjigjes kryesore. A do të ketë vazhdimësi? Pra, a do të qendrojë trajneri?
De Laurentis thotë se është lodhur duke folur me Sarrin dhe agjentin e tij Pelegrinin. “Duhet të pyesni atë nëse do të mbetet tek ne, – ishin fjalët e tij, – i kam pyetur dhe nuk më kanë dhënë përgjigje. Për mua, nuk ka më një datë për bisedime, koha ka skaduar, ndërsa kemi një klauzolë në kontratë. Të shohim çdo të ndodhë”.
Vetë Sarri është pak më i qartë. “Qendroj vetëm po të jenë kushtet për të përsëritur këtë sezon, – u shpreh ai, – nuk mund të vazhdohet duke u mbështetur te ky grup, sepse vështirë të jenë të gjithë këtu vitin tjetër. Kanë oferta nga klube të mëdhenj. Nuk di nëse klubi do të arrijë t’i mbajë”.
“Në jetë gjithçka vjen një ditë dhe përfundon, – shton Sarri, – e rëndësishme është që historitë të përfundojnë kur janë ende të bukura”. Trajneri, gjithsesi, siguron se “sido që të vijë puna, nuk do të shkoj në një klub italian”, ndërsa e mbyll duke shprehur keqardhjen që nuk fitoi dot një titull në Napoli.
Sfidanti.al