F1, Hamilton në qiellin e 7-të, fiton në Turqi dhe barazon Shumaherin

“Kjo është për të gjithë fëmijët në botë, që ëndërrrojnë të pamundurën, ti mund ta bësh këtë!” Këto ishin fjalët e para që Ljuis Hamilton shqiptoi me të kaluar vijën e cakut në Çmimin e Madh të Turqisë në pistën e Stambollit. Kampioni i botës sapo kishte fituar garën e radhës, dhe sapo kishte arritur diçka që vetëm pak vjet më parë cilësohej e pamundur, barazimin e rekordit të Mikael Shumaherit me 7 tituj botërorë në karrierë. Në moshën 35-vjeçare, dhe me një makinë të jashtëzakonshme si Mercedesi, piloti anglez mund t’ia dalë që të vendosë një rekord të ri. “Ne nuk kemi fjalë”, – u shkrua vetëtimthi në faqen zyrtare të Mercedesit në Tuitër, në orën 12:57 minuta. “Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, – vazhdoi Hamiltoni.

Legjenda e gjallë britanike u nis nga vendi i 6-të, por përfundoi i pari duke lënë pas Sergio Perezin me Rejsing Point dhe dy pilotët e Ferrarit, Fetel e Lëklerk që patën më në fund një garë të mirë. Ai doli në krye në xhiron e 37-të duke kaluar Perezin dhe nuk e humbi kryesimin deri në fund. Hamiltoni pati nevojë të fitonte qoftë edhe 6 pikë më pak sesa Botasi, por nuk deshi të kënaqej me pak dhe e barazoi rekordin e Shumit në mënyrë shembullore. Pas tij pati betejë dhe Perezi kaloi dy makinat italiane, ndërsa Feteli parakaloi shokun e skuadrës pikërisht pranë fundit. Diferenca e kampionit me vendin e dytë ishte masive, 31 sekonda,ndërsa ai po shton rekordin e tij botëror të fitoreve që tani është 94. Shumaheri e kishte rekordin më parë me 91. Kjo ishte fitorja e 10-të e sezonit për Hamiltonin që ka 307 pikë ndaj 197 të Botasit. Piloti i Mercedesit mund të barazojë një tjetër rekord të gjermanit legjendar, atë të numrit të fitoreve në një sezon. Nëse ia del arrin në 13, aq sa Shumi fitoi në 2004, veçse këtë vit ka 17 gara ndaj 18 të asaj kohe.

Sfidanti.al