Tani që të gjithë e kemi përballë shortin me skuadrat kundërshtare të Euro 2024, mund t’i shohim rivalët drejtëpërdrejtë në sy dhe dy fjalë vetes mund t’ia themi, të zhveshur nga euroria. Ky është një grup i hekurt, ferri, zjarri apo skëterre, cilësojeni si të dëshironi dhe për këtë mund të gjejmë dhjetra sinonime të tjera por në sot jemi në një fushë beteje dhe të gjithë e dimë shumë mirë që sado e vogël grimca e shpresës, ajo është aty dhe mund të na ndezë shkëndijën e shpresës. Askush nuk krijon iluzione se mund të bëjmë ligjin ndaj kampionëve në fuqi të Europës, Spanjës së futbollit “shampanjë” dhe ballkanasve magjistarë që për paksa nuk bënë historinë në Kupën e Botës 2018 por krenarinë mund të ruajmë, ndërsa futbollin që dimë duhet ta luajmë.
Një grup me pak pikëpyetje dhe shumë pengesa por në këtë situatë, futbolli del në krahun e Shqipërisë. Kjo lojë, nektarin e vërtetë e ka pikërisht në ndeshje të tilla kur Davidi rrëzon Goliadin sepse loja nis nga barazimi 0-0 dhe strategjia, fati, dëshira, dashuria, forca, karakteri apo momenti janë që të gjithë komponentë që mund të ndikojnë në një 90 minutësh, prandaj edhe për Shqipërinë ka shpresë e madje me shumicë. Neutralët me siguri do të jenë tifozë të Shqipërisë në këto tre sfida sepse më i vogli është gjithmonë krijesa që duhet mbrojtur për të shijuar ëndrrën e tij deri në fund e ky është rasti i Shqipërisë. Kuqezinjtë e vegjël por me zemër të madhe, mund dhe duhet të përsërisin Francë 2016, ndërsa pjesën tjetër le ta bëjë fati, detaji apo momenti.
Nga Pirro Bardhyli