Tani që edhe Euro U-17 nisi në Tiranë, hallet e futbollit tonë morën fund. FSHF arriti madje të tërhiqte edhe vëmendjen e Kryeministrit për një eveniment që është pët t’u vendosur në vitrinë për vende të vogla si Shqipëria, por realisht në rastin e vendit tonë, hallet e vërteta i ka futbolli dhe reklama të tilla vetëm sa kamuflojnë problemet e mëdha. Nëse skuadrat më të mira të kontinentit do të përlasen në tokën shqiptare, vetë loja e organizuar nga FSHF është në pikë të hallit dhe ndoshta evenimente të tilla janë pozitive vetëm për imazhin e drejtuesve por jo të fëmijëve, trajnerëve, arbitrave apo tifozëve që vuajnë bashkë me skuadrat e tyre.
Kush mund të thotë se çfarë përfitojnë teknikisht apo sportivisht të rinjtë shqiptarë nga ky eveniment? Asgjë…përveç krekosjeve me personalitete në tribunat e stadiumeve. Bashkë me Dukën në “Air Albania” për ndeshjen hapëse, u rreshtuan edhe “kokat” e lojës të cilët krenohen si shpikës të formulave magjike edhe pse në të vërtetë janë thjesht vegla të vjetëruara që presidenti i FSHF i përdor si “garniturë” në evenimente të tilla. Le të kthehemi tani në fillim të diskutimit: Çfarë risie apo avantazhi sjell Euro U-17 për futbollin shqiptar? A do të hamë me “lugë floriri”, ndoshta më korrekte do të ishte po të thoshim: të rinjtë tanë tani do të luajnë me “top floriri”.
Nga Pirro Bardhyli