Etrit Berisha përballë Interit, Bajrami-Asllani kundër Milanit!

Futbollistët shqiptarë në përgjithësi do të jenë në fushë këtë fundjavë në Serinë A. Etrit Berisha do të ruajë sërish portën e Torinos, sepse portieri Milinkoviç-Saviç është sërish i dëmtuar, dhe gardiani kuqezi do të ketë një provë të vështirë përballë Interit kampion të dielën në 20:45, në kryeqendrën e Piemontit. Për Empolin do të jenë titullarë dy lojtarët e mesfushës, Nedim Bajrami dhe Kristijan Asllani. Edhe për ata do të jetë një ndeshje e vështirë mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në “San Siro” ndaj Milanit.

Tomas Strakosha gjithashtu vazhdon të jetë titullar për Lacion, që do të luajë të hënën kundër Venecias në orën 20:45. Në formacion edhe Elseid Hysaj në mbrojtje, ndërsa skuadra e Sarrit shpreson t’i afrohet zonës Champions, ose të paktën të ruajë zonën e Ligës së Europës. Marash Kumbulla, ndërkaq, do të ulet në stol për ndeshjen e Romës në Udine, pasi ishte të enjten titullar në Ligën e Konferencës ndaj Viteshes. Për Atalantën, Berat Gjimshiti parashikohet në formacion në ndeshjen Atalanta-Xhenoa të dielën në 18:00, dhe po ashtu Rej Manaj do të udhëheqë sulmin e Specias në duelin kundër Kaljarit sot në 15:00. Tek Napoli, si përherë do të luajë që nga minuta e parë Amir Rrahmani.

Sfidanti.al