Është vetëm fillimi, por duket se Liverpuli do jetë sërish kampion i Anglisë!

Po flasim për kampionatin më të fortë të botës, ku Mançester Siti, Mançester Junajtid, Çelsi, Totenhemi, Arsenali, madje edhe Uolvesi apo Evertoni mund të kërcënojnë skuadrën e Jurgen Klopit, por gjithsesi as këta nuk duken se janë në gjendje të ndalojnë “bandën” e trajnerit gjerman. Fitorja 3-1 ndaj Arsenalit në “Anfild”, përkundër gabimeve në qendër të mbrojtjes (që mund t’i kishin ndëshkuar), ishte e tillë që mund t’i ketë çarmatosur rivalët. Kur arrin të fitosh kaq lehtë, dhe me kaq diferencë me atë që mund të jetë sfidanti kryesor për titull, si i bëhet me të tjerët?

Liverpuli tregoi karakterin e fortë edhe në mungesë të kapitenit Xhordan Henderson të dëmtuar, ashtu si edhe qendërmbrojtësit Matip. Po ashtu, duke mos e pasur blerjen e shkëlqyer Tiago Alkantara në dispozicion, sërish për punë lëndimi. Kjo nuk e pengoi aspak lojën e rrjedhshme, krejtësisht automatike të të kuqve, që tejkaluan momentin e vështirë të gabimit të Andi Robertsonit, që solli golin e avantazhit të “topçinjve” nga Lakazetë. Për 9 minuta gjithçka u përmbys sepse Mane (28’) dhe vetë Robertson (34’) shënuan shpejt e shpejt. Në fund, shifrat i vendosi Diogo Zhota që hyri si zëvendësues, dhe që shënoi në 88’.

Lakazetë pati dy raste të pastër për gol pas pushimit, kur Arsenali tejkaloi kurthin e pozicionit jashtë loje dhe kur portieri Alison u tregua gjigand, si një Manuel Nojer. Gjithsesi, Liverpuli mbajti 66 për qind topin, gjuajti 21 herë drejt portës e 8 në kuadrat, ndërsa Arsenali i pati këto shifra 4-3. Liverpuli ka 9 pikë në 3 ndeshje, pra me 100 për qind të pikëve, po aq sa Leisteri që ka golaverazh më të mirë, dhe po aq sa Evertoni i Karlo Ançelotit. Ndoshta po kthehet gjysma e dytë e viteve 80-të kur titulli ishte çështje derbi e një qyteti, Liverpul-Everton.

Sfidanti.al