Erdogan në stadium për në çerekfinalen Turqi-Holandë

Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan pritet të marrë pjesë në ndeshjen çerekfinale të ekipit kombëtar turk, në Euro2024, kundër Holandës, në Berlin të shtunën, mes polemikave rreth festimeve të golit që përfshin lojtarin turk, Merih Demiral. Burime presidenciale theksuan se Erdogan anuloi udhëtimin e tij për në Azerbajxhan, të planifikuar për të shtunën. Nuk kishte asnjë konfirmim të menjëhershëm zyrtar se Erdogan do të udhëtojë në kryeqytetin gjerman për ndeshjen. Mediat lokale raportuan se presidenti dëshiron të demonstrojë personalisht solidaritetin e tij me kombëtaren. Demiral imitoi formën e kokës së një ujku me gishta pas golit të tij të dytë në fitoren 2-1 ndaj Austrisë. Gjesti i diskutueshëm i atribuohet, ndër të tjera, një lëvizjeje ekstremiste të krahut të djathtë. Lëvizja e njohur si “Ulkucu” ose “Ujqërit gri” është e lidhur me aleatët politikë të Erdoganit, ultranacionalistët e MHP-së.

sfidanti.al