Një shkulm u turr që nga Deti i Irlandës i shkundi drurët në Parkun Stenli mes stadiumeve të Evertonit e Liverpulit, dhe detyroi trajnerin tashmë të vjetër Karlo Ançeloti që të mbërthente mirë pallton e tij të rëndë në vijën anësore të “Anfildit”. Kjo stuhi vazhdoi gjatë, ndërsa në stadiumin mitik të Liverpulit fryu Era e Ndryshimit në futbollin e qytetit të Bitëllsave. Kjo ishte hyrja e shkrimit të “Deili Meilit” për derbin buzë lumit Mersej, që pati ngjyrat blu të Evertonit. Fitorja 2-0 ishte e para këtë shekull për ekipin që zakonisht është quajtur i dyti i qendrës së banuar, dhe Evertoni i Ançelotit u barazua me pikë me të kuqtë e Klopit, duke pasur një ndeshje më shumë për të luajtur.
Një ditë krejtësisht e veçantë pra në Premier Ligë, ndoshta më e veçantë sesa e shtuna e Bundesligës, ku Bajerni u mund në fushën e Frankfurtit. Evertoni synon kupat europiane, pse jo Championsin, ndërsa Liverpuli është në rënie të lirë, me katër humbje radhazi në kampionat. Ekipi i Klopit rrezikon seriozisht vendin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, për shkak të konkurrencës së ashpër këtyë edicion.Risharlison në 3’ dhe Gilfi Sigurdson me penallti në 83’ ishin autorët e golave, ndërsa lajmet brutale për liverpulasit vazhduan me dëmtimin e kapitenit Xhordan Henderson. Në derbin e parë ndaj Evertonit, barazuar 2-2 në “Gudison Park”, Liverpuli humbi nga dëmtimi Van Dajkun e Tiago Alkantarën, tani historia u përsërit edhe më keq. Vërtet një erë e fortë ndryshimi.
Sfidanti.al