Ka ndodhur në histori, padyshim që mund të ndodhë edhe në sport. Dikur, një shtet i fuqishëm mesjetar si Polonia u shkatërrua nga konfliktet e brendshme, ndërsa pas dy luftërave botërore, Europa zbriti nga piedestali për t’ia lëshuar vendin SHBA-së! Sot, është La Liga e Spanjës që po humbet shkëlqimin sepse po humbet yjet, ndërsa Premier Liga fuqizohet gjithnjë e më shumë, po ashtu Paris SG, ndërsa Bajerni mbetet i fuqishëm. E përditshmja gjeneraliste spanjolle, El Pais” shkruan se kjo po shkaktohet nga lufta e brendshme e drejtuesve, pasi presidentët Perez e Laporta, përkatësisht të Realit e Barcelonës, janë në konflikt me presidentin e ligës, Tebas.
Në 2006-2018, Reali e Barça fituan 8 Champions nga 13 gjithsej, ndërsa spanjollët dominuan në Ligën e Europës. Tashmë, Kristiano Ronaldo e Mesi janë larguar, dhe Reali nuk po merr dot galaktikët, as Mbapenë dhe as Halandin. Vjet, Reali nuk shpenzoi asnjë euro për blerje, për herë të parë që nga viti 1980. Duket se edhe vetë konflikti i drejtuesve është shenjë e krizës financiare të futbollit spanjoll, ashtu si e ekonomisë së Spanjës në përgjithësi. Britania e Madhe është në këmbë, Bajerni i ka llogaritë të sakta, ndërsa PSG mbahet me paratë e Lindjes së Mesme.
Sfidanti.al