Sa shumë kanë ndryshuar kohët. Edhe pse nuk ka qenë kurrë një yll i madh futbolli, sërish Shkodran Mustafi është vlerësuar si lojtar i denjë për nivele të larta dhe jo më kot fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë në 2014. Arsenali e mori për 37 milionë paundë stërlina, ndërsa gjysma e dytë e sezonit të kaluar ishte një katastrofë me Shalken. Ekipi ra nga Bundesliga, ndërsa shqiptari i Gjermanisë u shpall lojtari më i keq i edicionit.
Mustafi është njëri nga lojtarët e Bundesligës që janë pa ekip, dhe që presin të stabilizohen. Ish-kampioni i botës me Gjermaninë në 2014 në Brazil, ka rënë nga forma dhe pasi u largua nga Arsenali, nuk mundi të shkëlqente as tek Shalke që ra në kategorinë e dytë. Bashkë me të janë të tjerë si Gonzalo Kastro (Shtutgart), Zherom Boateng (Bajern), Maks Majer (Këln), Nabil Bentaleb (Shalke), Ibrahima Traore (Gladbah), Marko Hëger (Këln) apo Jetro Vilems (Frankfurt). Të paktën për Mustafin ka interesim dhe Xhenoa e Fiorentina e duan në Serinë A.
Sfidanti.al